Rritja e kërkesave për azil një dështim i qeverisë dhe një pasqyrë e realitetit social

Rritja e kërkesave për azil një dështim i qeverisë dhe një pasqyrë e realitetit social

Shkruan: Hisen Berisha, deputet në Parlamentin e Kosovës

Rritja e kërkesave për azil është një pasqyrë e qartë e realitetit social dhe ekonomik në Kosovë dhe një dëshmi e mungesës së lidershipit efektiv nga ana e qeverisë. Tërheqja e vërejtjes nga Komisioni Evropian për rritjen dramatike të kërkesave për azil nga shtetasit e Kosovës pas heqjes së vizave është një tregues alarmant i dështimit të qeverisë Kurti në përballjen me problemet bazike të qytetarëve. Ky fenomen reflekton jo vetëm mungesën e politikave efektive socio-ekonomike, por edhe keqpërdorimin e lirisë së lëvizjes, një arritje që u mirëprit me entuziazëm, por që tash rrezikon të kthehet në një bumerang.

Papunësia, varfëria dhe mungesa e perspektivës janë shtysat kryesore që nxisin qytetarët të kërkojnë azil, shpesh pa baza të qëndrueshme siç potencohet në raport. Politikat e qeverisë Kurti kanë dështuar të adresojnë këto çështje, duke krijuar një terren të përshtatshëm për emigrimin masiv. Liberalizimi i vizave, që ishte një mundësi e artë për Kosovën, është keqmenaxhuar për shkak të mungesës së një strategjie të qartë për të ndërgjegjësuar qytetarët mbi përdorimin e kësaj lirie. Kjo situatë pasqyron paaftësinë e qeverisë për të planifikuar dhe menaxhuar pasojat afatgjata të kësaj arritjeje. Në vend që ta shohin lirinë e lëvizjes si një mundësi për zhvillim ekonomik dhe shkëmbime kulturore, shumë qytetarë kanë zgjedhur të kërkojnë azil për shkak të mungesës së alternativave në vendin e tyre.

Qeveria Kurti ka dështuar në krijimin e një klime ekonomike dhe sociale që të frenojë emigrimin. Pavarësisht retorikës mbi luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin e qëndrueshëm, rezultatet në terren janë të pamjaftueshme dhe flasin me gjuhën e realitetit praktik. Mungesa e investimeve në sektorin privat, keqmenaxhimi i resurseve publike dhe mungesa e politikave për të rinjtë kanë nxitur një valë dëshpërimi që po detyron qytetarët të largohen.

Për të përmirësuar këtë situatë, tsni kur jemi ppthuajse në fushatë elektorale, dhe qeveria nuk ka ofruar alternativë për afro gjashtë vite qeverisje, atëherë partitë politike në programet e tyre elektorale duhet të fokusohen në zhvillimin e sektorit privat, krijimin e vendeve të punës dhe mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Po ashtu, është jetike të ndërmerren fushata edukative për të informuar qytetarët mbi pasojat e kërkesave të pabaza për azil dhe për të nxitur përdorimin e liberalizimit të vizave për qëllime të ligjshme dhe të dobishme. Investimi në arsim, trajnime profesionale dhe përkrahje me punësim duhet të jetë prioritet për të krijuar një mjedis ku qytetarët ndihen të sigurt për të ndërtuar të ardhmen e tyre në vend. Në të njëjtën kohë, qeveria duhet të punojë ngushtë me BE-në për të parandaluar shpërdorimin e sistemit të azilit dhe për të shmangur vendosjen e mekanizmave kufizues ndaj Kosovës.

Në vend që të mbulojë dështimet me retorikë politike, qeveria duhet të ndërmarrë veprime konkrete për të krijuar një mjedis ku qytetarët të mos ndihen të detyruar të largohen, por të kenë mundësinë të ndërtojnë një të ardhme në vendin e tyre.