Lansohet sistemi i gjurmimit të faturave – invoice tracking
Dje është lansuar sistemi i gjurmimit të faturave (invoice tracking), projekt ky i mbështetur nga USAID-i, dhe që do të ndihmojë bizneset të pranojnë me kohë pagesat nga shteti për punët dhe shërbimet që kryejnë.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se deri më tani, kanë qenë jo të rralla rastet kur zyrtarët financiarë në organizata të ndryshme buxhetore, megjithëse kishin pranuar faturën nga operatori ekonomik për punët ose shërbimin e kryer, e zvarrisnin pagesën e faturës kryesisht me qëllim të nxjerrjes së ndonjë ryshfeti.
“Kurse fajin kryesisht e hidhnin tek Ministria e Financave, duke thënë që Thesari nuk po e ekzekuton pagesën – normalisht e pavërtetë kjo. Me sistemin e ri i cili do të fillojë pilotimin javët në vijim, secili operator ekonomik që dorëzon faturë për punët ose shërbimin e kryer, do të pajiset me një QR-code përmes të cilit mund ta përcjellë në kohë reale statusin e faturës, se në cilën fazë është, a i është miratuar për pagesë, dhe kur mund të pritet ekzekutimi i pagesës. Kësisoj, do të kemi më shumë transparencë, më shumë efikasitet, e më pak abuzime. Çdoherë në shërbim të qytetarëve e bizneseve, për një ekonomi të qëndrueshme e që rritet vazhdimisht. Qeveria për bizneset. Qeveria digjitale”, ka shkruar Murati në “Facebook”.