PDK-ja: Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi maksimale
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në mbledhjen e Këshillin Drejtues të dielën ka ngritur shqetësimin për zhvillimet e fundit në Hagë, ku Zyra e Prokurorit Special ka njoftuar se ish-presidentit Hashim Thaçi i është shtuar edhe një aktakuzë për kinse pengim të drejtësisë, ndërsa ai tashmë ka katër vite që ndodhet në paraburgim.
“Lufta çlirimtare e popullit tonë ishte e drejtë, fisnike dhe e rrënjosur në të drejtën universale për liri dhe dinjitet. Çdo përpjekje për t’i dhënë tjetër kahje kësaj të vërtete, rrezikon të minojë jo vetëm legjitimitetin e drejtësisë, por edhe të cenojë trashëgiminë e një lufte të shenjtë për liri. Ne apelojmë që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi maksimale! Vendimet e tyre duhet të mbështeten vetëm në fakte dhe parime ligjore. Drejtësia nuk duhet, asnjëherë, të përdoret si mjet për të rishkruar historinë apo për të kontestuar sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës”, ka kërkuar ai.