Drita vazhdon formën e shkëlqyer, Prishtina dhe Gjilani ndajnë pikët në derbi

Drita vazhdon formën e shkëlqyer, Prishtina dhe Gjilani ndajnë pikët në derbi

Elita e futbollit kosovar solli emocione me dy ndeshjet e para të xhiros së 16-të, ku liderja e kampionatit, Drita, shënoi një tjetër fitore, ndërsa derbi mes Prishtinës dhe Gjilanit në “Fadil Vokrri” përfundoi pa fitues.

Skuadra e Dritës konfirmoi formën e saj të shkëlqyer duke e mposhtur Dukagjinin, në Gjilan, me rezultat 2:0. Besnik Krasniqi zhbllokoi rezultatin në minutën e 29-të, ndërsa Kastriot Selmani vulosi fitoren në minutën e 89-të pas një kundërsulmi të shpejtë.

Kjo ishte fitorja e gjashtë radhazi për bardhekaltrit në të gjitha garat, përfshirë suksesin ndaj Rahovecit në Kupën e Kosovës në mesjavë.

Me këtë fitore, Drita mbetet lidere e pakontestueshme e AlbiMall Superligës me 37 pikë pas 16 ndeshjeve. Ndërkaq, Dukagjini regjistroi humbjen e tretë radhazi në kampionat, duke mbetur në pozitën e tetë me 17 pikë.

Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë ishte arenë e derbit të javës, ku Prishtina dhe Gjilani ndanë pikët pas një ndeshjeje mjaft interesante dhe dramatike, që përfundoi 2:2.

Gjilani kaloi i pari në epërsi përmes sulmuesit Senad Jaroviq në minutën e 28-të, por Prishtina barazoi shifrat në minutën e 37-të nga penalltia, e realizuar nga Leotrim Kryeziu.

Në pjesën e dytë, Leonat Vitija shënoi për Prishtinën në minutën e 81-të, me gjuajtje me kokë. Megjithatë, mesfushori i Gjilanit, Kushtrim Shabani, siguroi një pikë të vlefshme për skuadrën e tij me një gol në minutën e katërt të kohës shtesë.

Prishtina tani mban pozitën e katërt me 26 pikë, ndërsa Gjilani pozicionohet në vendin e gjashtë me 18 pikë.