Delegacioni i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë po qëndron për vizitë zyrtare në Slloveni

Delegacioni i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë po qëndron për vizitë zyrtare në Slloveni

Delegacioni i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i përbërë nga Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, kryetare e komisionit, Xhavit Haliti, zëvendëskryetar i parë dhe Yllza Hoti anëtare, me ftesë të Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit Kombëtar të Republikës së Sllovenisë, është duke e realizuar një vizitë zyrtarë në Slloveni.

Takimin e parë delegacioni i KPJD e zhvilloi me Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit Kombëtar të Sllovenisë, të kryesuar nga Predrag Baković.

Në këtë takim u theksua se marrëdhëniet në mes të dy vendeve janë shumë të mira, mirepo u vë në dukje se ka hapësirë për avancimin e tyre në fusha të caktuara, si në atë ekonomike, akademike, të teknologjisë informative etj.

Deputetët sllovenë siguruan homologët e tyre nga Kosova se mbështetja e Sllovenisë për Kosovën nuk do të mungojë dhe se Sllovenia mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare.

Zgjerimi i BE-së është i një rëndësie të veçantë dhe se vendet e Ballkanit perëndimor e kanë vendin në këtë bashkësi, u theksua nga deputetët sllovenë.

Anëtarët e KPJD pasi falënderuan Kryetarin Baković per ftesën dhe mundësinë për tu takuar dhe për të diskutuar çështje të ndryshme me interes për të dy vendet, njoftuan palën sllovene se Republika e Kosovës ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Këto suksese janë paraqitur edhe në Raportin për Vendin 2024 i publikuar nga Komisioni Evropian.

Sa i përket politikës së jashtme të Kosovës, anëtarët e komisionit të Kuvendit të Kosovës bënë të ditur se ajo është në një linjë me atë të ShBA dhe BE sa i përket agresionit rus në Ukrainë. Kosova është ndër vendet e para që i ka vënë sanksione Rusisë dhe Bjellorusisë, kështu, duke u renditur në krah me vendet demokratike.

Vëmendje të veçantë në këtë takim kishte edhe sulmi i fundit terrorist në Zubin Potok. Ky sulm është dënuar edhe nga institucionet e Republikës së Sllovenisë, të cilët kërkuan një hetim dhe dënim të personave të përfshirë në këtë sulm.

Gjatë ketij takimi po ashtu u diskutua për dialogun me Serbinë, për të cilin u tha se është e vetmja mënyrë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.

Delegacioni i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë gjatë vizitës zyrtare u takua edhe me Komisionin për Çështjet e BE-së, Komisionin për Mbrojtje, z. Danijel Krivec, Nënkryetar i Kuvendit, Grupin Parlamentar të Miqësisë dhe zhvilloi takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane.

Delegacioni i KPJD në vazhdim të vizitës zyrtare në Lubjanë do të takohet me Delegacionin e Kuvendit të Sllovenisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe me Delegacionin e Kuvendit të Sllovenisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-së.

Delegacioni gjatë vizitës zyrtare ishte në përcjellje të z. Valdet Sadiku, Ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Sllovenisë me bashkëpunëtorë.