Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar të martën me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.
Naim Murseli, bashkëshorti i Liridonës, dhe Granit Plava u shpallën fajtorë për vrasje të rëndë.
Plava u shpall fajtor edhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Kushtrim Kokalla u shpall fajtor për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.
Kokalla u lirua nga akuza për moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre, pasi prokurorja kishte hequr dorë nga akuza.
Të pandehurit nuk ishin të pranishëm në sallë kur u shpall aktgjykimi, ndërsa familjarë të së ndjerës po.

