Në veri sërish gjenden armë e uniforma ushtarake
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se gjatë një bastisjeje të kryer në pjesën veriore të Kosovës më 3 dhjetor janë gjetur armë, municione e pajisje të tjera ushtarake.
Ai ka publikuar një video të armëve që u sekuestruan, që tha se ishin fshehur në një ahur, duke mos bërë të ditur se në cilin vend u kryen bastisjet.
“Përveç uniformave të ushtrive të Serbisë dhe Rusisë, në këto dëshmi shihen uniforma të ushtrive të Shteteve të Bashkuara dhe asaj britanike dhe ky fakt shpërfaq planet dhe skenarët ogurzi për të kryer krime e sulme dhe për të fajësuar shtete të tjera”, shkroi ai në Facebook.