Në kuadër të shënimit të 14 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Rahovecit, është zhvilluar finalja e turneut tradicional të futbollit “Dëshmorët dhe Martirët – Krushë e Madhe”, aktivitet që mblodhi një numër të madh qytetarësh dhe solli atmosferë festive e sportive.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka vlerësuar organizimin e turneut, duke theksuar se ky aktivitet shërben jo vetëm për promovimin e sportit, por edhe për ruajtjen e kujtesës për dëshmorët dhe martirët e kombit.
Sipas tij, turneu bashkoi qytetarë të të gjitha moshave, ndërsa emocion të veçantë mbrëmjes i dhanë interpretimet e këngëtares së njohur shqiptare, Shkurte Fejza, me këngë atdhetare kushtuar sakrificës për liri.
Postimi i tij:
Në kuadër të shënimit të 14 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Rahovecit, u mbajt finalja e turneut tradicional të futbollit “Dëshmorët dhe Martirët – Krushë e Madhe”, që solli atmosferë të jashtëzakonshme, garë sportive cilësore dhe pjesëmarrje të madhe qytetare.
Ky turne mblodhi qytetarë të të gjitha moshave, duke krijuar një atmosferë të veçantë. Mbrëmjes emocion të veçantë i dhanë edhe këngët atdhetare të ikonës së muzikës shqiptare, Shkurte Fejza, që risollën në kujtesë sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve.
Urime ekipit fitues, këshillit organizues dhe të gjithë pjesëmarrësve që kontribuuan në suksesin e këtij aktiviteti, i cili na kujton sakrificën e dëshmorëve e martirëve dhe vlerat mbi të cilat u ndërtua liria jonë.
Si institucion, do të vazhdojmë të mbështesim nisma që promovojnë sportin, ruajnë kujtesën historike dhe krijojnë hapësira që bashkojnë qytetarët rreth vlerave tona.

