AAK-ja prezanton kandidatët për deputetë nga Deçani, një ndër ta edhe afaristi i suksesshëm Ramush Ahmetaj
Në Deçan, aty ku nisën pothuajse të gjitha lëvizjet për liri, në praninë e qindra mijëra qytetarëve u bë prezantimi i kandidatëve për deputet të ardhshëm, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Dega në Deçan.
I pari gjenerali Daut Haradinaj, është vetë historia, Time Kadriaj, mjeke në UÇK, disa herë deputete në Kuvendin e Kosovës, Rasim Selmanaj, aktivist i hershëm i çështjes kombëtare, i burgosur politik, ish-kryetar i Komunës së Deçanit, ish-deputet në Kuvendin e Kosovës, Teuta Haxhiu, ish-deputete, punëtore e zellshme e arsimit, dr. Arber Tolaj – ortoped, mjek në radhët e UÇK-së dhe në UÇPMB, Ramush Ahmetaj, jurist, afarist i suksesshëm, Arif Ahmetxhekaj ish-pjesëtar i UÇK-së, anëtarë i AAK-së nga fillimi, Lok Komoni jurist, emër i njohur i estradës, Bashkim Ramosaj, aktivist i Lëvizjes Politike 1989-1997, Ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 1997-1999 me të gjithë vëllezërit, aktualisht kryetar i Komunës së Deçanit.
Të gjithë kandidatët për deputetë deklaruan se do të punojnë dhe do të triumfojnë mbi qeverinë e mashtrimit, korrupsionit, nepotizmit dhe shkatërrimit të shpresave të brezit të ri.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha sot se kandidatët për deputetë të ardhshëm prezantuan planin për Kosovën Fituese, dhe planin për ndryshimin e madh.
Në prezantimin e tij kandidati për deputet, Ramush Ahmetaj, mes tjerash tha se: “Kam lindur në fshatin historik në Belle të Deçanit. Pjesën më të mirë të jetës sime e kam kaluar në shërbim të popullit tim. Do të jem zë i qytetarit, aty ku ai ka nevojë dhe nuk do të ndalem për asnjë qastë drejt rrugës së suksesit dhe fitores për ndryshimin e madh. Bashkë me kryetarin tonë të Aleancës z. Ramush Haradinaj i cili u bë frymëzim i luftëtarit model për një Kosovë të lirë, do të punojmë pa pushim që qytetarit tonë, t’ia bëjmë jetën e lumtur, me plot mundësi për të mirën e tyre dhe të brezit të ri. Po ashtu ẹ falënderoj Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që ma dha mundësinë të kandidojë për deputet në këto zgjedhje. Përkrahja juaj, vota juaj është vota që vulos ndryshimin e madh”, ka thënë Ahmetaj.