Rahoveci na përfaqëson me shumë dinjitet, fiton në Rumani

Rahoveci na përfaqëson me shumë dinjitet, fiton në Rumani

Kampioni i Kosovës në hendboll, Rahoveci, ka arritur fitore të madhe të shtunën mbrëma. “Vreshtarët” fituan në Rumani ndaj skuadrës së madhe rumune, Minaur Baia Mare.

Rahoveci e fitoi me rezultat 40:35 ndeshjen e dytë të raundit të tretë të Kupës Evropiane për hendbollistë. Skuadra jonë megjithatë nuk avancon pasi ndeshjen e parë të luajtur të shtunën e kaluar në Rahovec e humbi me shtatë gola dallim, 38:31.

Pra dallimi në fund, pas dy ndeshjeve, ishte vetëm dy gola në të mirë të skuadrës rumune.
Fitorja megjithatë është me shumë rëndësi dhe dëshmon për përfaqësimin gjithnjë e më të mirë të hendbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.

Minaur Baia Mare është prej skuadrave më të suksesshme në Kupën Evropiane.

Vjet u paraqit në gjysmëfinale e para tri vjetësh edhe në finale.

Ndeshja ishte e fortë nga fillimi e deri në fund. Pjesa e parë përfundoi 19:19. Në mesin e pjesës së dytë Rahoveci kaloi në epërsi prej pesë golash, 33:28. Vendasit u afruan në një gol, por pasoi tjetër shkëputje e Rahovecit që në fund fitoi 40:35.

Arbios Mushkolaj i shënoi shtatë gola nga tetë tentime. Victor Alonso i kishte dhjetë gola nga 15 tentime, duke përfshirë gjashtë nga penalltia (6/7). Jon Muqolli i kishte gjashtë gola nga shtatë tentime, ndërsa Egzon Gjuka pesë gola nga shtatë tentime. Jeton Bislimi i realizoi katër gola nga katër tentime, Mali Luzha katër nga pesë e Alban Haziri tri nga katër. Një gol e kishte Adonit Isufi.
Arbër Curri i kishte tetë pritje e Arti Luzha dy.

Në përgjithësi ishte një paraqitje shumë e mirë e Rahovecit, që dëshmon se ndeshja e parë nuk ishte fytyra e vërtetë e kësaj skuadre.