Drita mposht Ballkanin dhe shkëputet në krye, Ferizaj arkëton një pikë në Podujevë
Drita ka arritur një fitore të madhe në kuadër të javës së 15-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, duke e mposhtur kampionin në fuqi, Ballkanin para tifozëve të vet, me rezultat 3:2.
Kësisoj, Drita vazhdoi serinë mbresëlënëse të rezultateve me triumfin e radhës në Suharekë, në një ndeshje mjaft interesante.
Almir Ajzeraj e hapi serinë e golave për Dritën në minutën e 21-të, por vendasit barazuan me Sunday Adetunji, në minutën e 64-t. Megjithatë, Drita u tregua efikase në kundërsulm, duke rikthyer epërsinë në minutën e 72-të, me golin e Blerim Krasniqit pas harkimit të Arb Manajt.
Ndërkohë, ky i fundit realizoi golin e tretë në minutën e 81-të. Edhe pse Ballkani ngushtoi diferencën në kohën shtesë me golin e Bleart Tolajt me kokë, nuk arriti të ndalte Dritën nga marrja e pikëve të plota në këtë takim.
Me këtë fitore, Drita forcon pozitën e parë me 34 pikë, tetë më shumë se Ballkani në vendin e dytë. Gjilanasit kanë pësuar vetëm një humbje këtë sezon dhe vazhdojnë të tregojnë formë të jashtëzakonshme.
Ndërkohë, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, Llapi dhe Ferizaj ndanë pikët, me rezultat 1:1, në një përballje dramatike deri në minutën e fundit.
Kapiteni i Llapit, Hamdi Namani shënoi një gol të bukur në minutën e 90-të, që dukej se do t’i jepte Llapit fitoren e parë pas shtatë ndeshjeve. Megjithatë, në minutën e 99-të, Sokol Kiqina barazoi rezultatin nga penalltia e akorduar me VAR, duke i siguruar Ferizajt një pikë të vlefshme.
Do theksuar se mysafirët luajtën me një lojtar më pak nga minuta e 50-të, pas ndëshkimit me karton të kuq të Ermin Imamoviqit.