Autoritetet njoftojnë se uji i Ibër-Lepencit është i papijshëm, furnizimi me rrymë stabil
Uji i cili kalon nëpër kanalin e Ibër-Lepencit është i papijshëm, si pasojë e një shpërthimi që e goditi kanalit një ditë më parë në një fshat në veri të vendit, njoftoi të shtunën Ministria e Shëndetësisë e Kosovës.
Ndërkohë, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) tha se furnizimi me rrymë është i qëndrueshëm dhe se puna e termocentraleve të saj po vazhdon normalisht.
Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke ngjallur frikë se është rrezikuar furnizimi me ujë dhe rrymë në vend.
Nga hidro-sistemi Ibër-Lepenci, në Gazivodë (Zubin Potok), furnizohet me ujë i gjithë veriu i Kosovës, si dhe Prishtina me rrethinë, përfshirë edhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Në një njoftim në Facebook, Ministria e Shëndetësisë tha se Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Mitrovicë, në bashkëpunim me Kompaninë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” kanë marrë mostrat e ujit të patrajtuar për të kryer analizat e nevojshme.
“Sipas analizave të para, të kryera në ujin e patrajtuar, uji që kalon nëpër kanalin e Ibër-Lepencit nuk është për momentin i pastër për pije, ndërkohë që përveç analizave mikrobiologjike dhe atyre bakteriologjike, IKSHPK/QRSHP Mitrovicë, do të analizojë edhe parametra të tjerë që kanë të bëjnë me praninë e metaleve në ujë”, thuhet në njoftim.