Meta dënon aktin kriminal në Zubin Potok, thotë se vjen nga bandat serbe

Meta dënon aktin kriminal në Zubin Potok, thotë se vjen nga bandat serbe

Kryetari i Partisë së Lirisë në Shqipëri, Ilir Meta ka dënuar me ashpërsinë më të madhe sulmin e mbrëmshëm terrorist në kanalin kryesor të Ibër Lepencit, infrastrukturën jetike të Kosovës.

Ai thotë se ky është sulm kriminal dhe terrorist, i cili vjen nga bandat e dirigjuara dhe orkestruara nga Serbia.

“Partia e Lirisë, në mbështetje të palëkundur të popullit dhe institucioneve, të integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës u bën thirrje të gjithë vende partnere ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, të dënojnë me forcën më të madhe këto sulme terroriste, si dhe t’i ushtrojnë presionin e duhur Beogradit zyrtar për të hequr dorë nga këto akte kriminale që rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë”, shkruan ndër të tjera Meta në Facebook.