Kosova mposht bindshëm Estoninë në miqësoren e parë
Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka mposhtur sot Estoninë, në miqësoren e parë, me rezultat të thellë 8:0, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Dardanet e udhëhequra nga përzgjedhësi Sami Sermaxhaj, e kontrolluan mirë ndeshjen që nga minuta e parë, duke treguar angazhim maksimal.
Golin e parë Kosova e gjeti qysh në minutën e 6-të, kur Katrina Biqkaj u tregu efikase para portës mysafire.
Në minutën e fundit të çerekut të parë të lojës, kapitenja e Kosovës, Erëleta Memeti shënoi për 2:0. E njëjta futbolliste realizoi edhe në minutën e 32-të, për rezultatin 3:0.
Tre minuta para se të përfundoi pjesa e parë, përkatësisht në të 42-tën, Gentiana Fetaj shënoi golin e katërt.
Edhe fraksioni i dytë filloi me gola. Erëleta Memeti, me golin e 5-të të Kosovës, në minutën e 50-të regjistroi ‘hat-trick’ në këtë ndeshje.
Megjithatë, në këtë fitore bindëse të Dardaneve nuk ishte vetëm kapitenja që realizoi ‘hat-trick’. Ishte edhe zëvendësuesja Modesta Uka, e cila përveç një asisti shënoi tre golat e fundit për Kosovën, në minutat 68’, 70’ dhe 82’ (pen).
Kjo është fitorja e parë e përzgjedhësit Sami Sermaxhaj nën drejtimin e Kombëtares së Kosovës. Ndeshjen e dytë miqësore ndaj Estonisë, Dardanet e zhvillojnë, të hënën, më 2 nëntor, po ashtu në stadiumin “Fadil Vokrri”.