Ndërtesa e Komunës së Zveçanit sulmohet me granatë të dyshuar dore
Ndërtesa e Komunës së Zveçanit në veri të Kosovës është sulmuar me një mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore, të enjten para mesnatës, tha për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani.
“Mbrëmë para mesnatës pati një shpërthim që ne dyshojmë se ishte granate dore e llojit M-75”, tha Elshani.
Ky është sulmi i dytë ndaj institucioneve në Zveçan, komunë e banuar me shumicë serbe, në dy ditët e fundit, pas sulmit me granata dore në një stacion policor.
Elshani tha se sulmi i shkaktoi dëme ndërtesës së Komunës dhe katër automjeteve të parkuara aty pranë, dhe se policia ka nisur hetimet.
Ai theksoi se nuk ka të lënduar nga ky shpërthim dhe se policia nuk ka identifikuar ende ndonjë të dyshuar për kryerjen e sulmit.