Presidenti Ademi viziton LRF të Prishtinës: Keni kapacitet t’i prini reformave

Presidenti Ademi viziton LRF të Prishtinës: Keni kapacitet t’i prini reformave

Në kuadër të reformave dhe riorganizimit të Lidhjeve Rajonale të Futbollit, presidenti Agim Ademi, realizoi një vizitë pune në Lidhjen Rajonale të Futbollit në Prishtinë.

Presidenti Ademi u prit nga kryetari i kësaj lidhjeje, Ismajl Ajeti, së bashku me anëtarët e bordit dhe stafin administrativ të këtij regjioni, për të diskutuar mbi përparësitë dhe prioritetet që synohen të arrihen përmes këtij procesi.

Gjatë takimit, u bisedua për procesin e reformave dhe riorganizimit të regjioneve, duke përfshirë zbatimin e projekteve të reja dhe avancimin e sistemit të digjitalizimit. Presidenti Ademi vuri theks të veçantë në rëndësinë që LRF e Prishtinës, si regjioni më i madh dhe më i rëndësishëm në vend, të shërbejë si shembull dhe udhëheqës në zbatimin e reformave dhe projekteve inovative.

Në takim u analizuan edhe nevojat dhe prioritetet e LRF-së të Prishtinës, ku presidenti Ademi i njoftoi të pranishmit edhe për projektin e fushës së futbollit në Bërnicë, që do të shërbejë për nevojat e shkollave dhe klubeve të këtij regjioni dhe që do të krijojë edhe hapësirat e nevojshme për funksionim sa më të mirë të këtij regjioni.

Gjithashtu, u diskutua për përgatitjen e planit për organizimin e aktiviteteve në vitin e ardhshëm, duke u bazuar në programin e ri të digjitalizimit të FFK-së.

Presidenti Ademi theksoi se këto reforma janë jetike për të siguruar një strukturë më moderne dhe të përshtatur me kërkesat e kohës. Ai shprehu bindjen se LRF e Prishtinës e ka potencialin dhe kapacitetin për të udhëhequr këto procese dhe për të ngritur standardet e futbollit.

“LRF e Prishtinës, si regjioni më i madh dhe më me ndikim, duhet të jetë shembull i një strukture të mirëorganizuar dhe të koordinuar. Me digjitalizimin e plotë dhe me reformat që po implementohen, ne po e çojmë futbollin kosovar drejt një epoke të re, më profesionale dhe më të suksesshme”, tha kreu i FFK-së.