Haradinaj: Më 9 shkurt duhet të ndalet trendi i humbjeve
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se të mëdha dhe disa mbase të pariparueshme janë humbjet e Kosovës në katër vitet e fundit.
Sipas tij, orientimi strategjik krejtësisht i gabuar i Kurtit dhe qeverisë bëri që Kosova të humbë kërkesën e vendeve aleate për marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë dhe njohje reciproke, Kosova humbi të gjitha shanset për përafrim dhe anëtarësim në NATO, Kosova humbi shansin që të jetë anëtare e Këshillit të Evropës, Kosova humbi Contour Global dhe investimin prej 1.5 miliardë në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike dhe e humbi edhe rastin gjyqësor, Kosova e humbi projektin e gazit Amerikan, një shansi për siguri energjetike afatgjate nga miqtë më të mëdhenj që ka Kosova, Qeveria e Kosovës humbi besimin e 200 mijë qytetarëve të vet të cilët braktisën Kosovën për jetë më të mirë, dhe Kosova, për fitore optike dhe tepër afatshkurtra në komunat veriore, humbi besimin dhe përkrahjen e vendeve aleate dhe e cenoj gjithë projektin e përbashkët të Kosovës me aleatët.
“E gjatë është lista e humbjeve dhe frika se vazhdimi i kësaj qeverisjeje do t’i rrisë dhe rëndojë humbjet e Kosovës. Më 9 shkurt duhet të ndalet trendi i humbjeve. Ka ardhur koha për ta shndërruar Kosovën në fituese. Ne të gjithë e kemi për obligim të punojmë për një Kosovë fituese: Për një Kosovë fituese në aspiratat për anëtarësim direkt në NATO; Për një Kosovë fituese në zhvillim; Për një Kosovë fituese në lobim për njohje dhe respekt ndërkombëtar; Për një Kosovë fituese në dialog dhe në marrëdhënie ndërkombëtare dhe për një Kosovë fituese nga burimet e saj njerëzore dhe natyrore. Kosova nuk duron më humbje. Kosova nuk duron qeveri që humbjet i mbulon me demagogji dhe propagandë”, është shprehur Haradinaj në një deklaratë në “Facebook”, duke shtuar se Kosova nuk duron mashtrues që humbjet i quan fitore.
“Ne duam t’u kthehemi fitoreve. Fitoreve tona, qoftë si individë, qoftë si shoqëri. Për një Kosovë fituese e kemi obligim të gjithë të angazhohemi e punojmë”, ka deklaruar Haradinaj.