Acari i lë mijëra njerëz pa rrymë në vendet nordike, Gjermania përballet me vërshime

Acari i lë mijëra njerëz pa rrymë në vendet nordike, Gjermania përballet me vërshime

Acari i shoqëruar me erëra të fuqishme dhe borë kanë shkaktuar rrëmujë nëpër vendet nordike të enjten, duke i lënë mijëra njerëz pa rrymë dhe shumë të tjerë të ngujuar në veturat e tyre në autostrada.

Ndërkohë, shiu i madh në Gjermani, Francë dhe Holandë, ka shkaktuar përsëri vërshime në rajon, të cilat kanë vazhduar në dy javët e fundit.

Në Francë u raportua për një person të vdekur.

Acari shkaktoi pengesa në transport nëpër vendet e rajonit nordik, ku u raportua për kaos i trafik, si pasojë e mbylljes së pjesëve të autostradave dhe rrugëve kryesore. U raportua po ashtu edhe për telashe në shërbimet hekurudhore.

Rreth 4.000 shtëpi mbetën pa energji elektrike në Suedi, ku temperaturat ranë minus 38 gradë celsius, sipas radios publike të Suedisë. Në pjesët jugore të vendit, shoferët mbetën të ngujuar në automjetet e tyre, ose u evakuuan në një kompleks të afërt sportiv, ku e kaluan natën.

Në Danimarkë, policia u bëri thirrje shoferëve t’i shmangin udhëtimet e panevojshme, pasi era dhe bora kapluan pjesët veriore dhe perëndimore të vendit.

Në Lapland, komunë e Enonetekios në Finlandë, pranë kufirit me Norvegjinë dhe Suedinë, u shënua temperatura më e ulët në këtë e këtij dimri të enjten, minus 42.5 gradë celsius.

Meteorologët kanë parashikuar temperatura edhe më të ulëta gjatë javës në vazhdim.