I refuzohet azili gruas nga Taxhikistani që përballet me dëbim nga Kosova

I refuzohet azili gruas nga Taxhikistani që përballet me dëbim nga Kosova

Autoritetet e Kosovës ia kanë refuzuar kërkesën për azil Sitora Atomamadovës, një shtetase të Taxhikistanit, e cila ka jetuar në Kosovë për më shumë se 20 vjet.

Arsyet për vendimin nuk dihen ende ndërsa avokati i saj, Labinot Vata, i tha Radios Evropa e Lirë se do të bëjë ankesë mbi këtë vendim.

Atomamadova, që nga fillimi i nëntorit po mbahet në Qendrën e Paraburgimit për të Huajt në Vranidoll, pranë kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, pasi ka marrë një urdhër dëbimi nga Kosova.

Asaj paraprakisht i është refuzuar aplikimi për shtetësi dhe i është revokuar leja e qëndrimit në Kosovë, vendime për të cilat ajo është ankuar, duke bërë paralelisht kërkesë për azil.

Arsyet për këto vendime ndaj saj nuk dihen publikisht, ndonëse mediat lokale më 5 nëntor raportuan se ajo dyshohet për spiunazh për Rusinë, informacion i pa konfirmuar zyrtarisht.