Gërvalla pas takimit me Cameronin: Perëndimi ka nevojë për qasje të re ndaj Ballkanit

Gërvalla pas takimit me Cameronin: Perëndimi ka nevojë për qasje të re ndaj Ballkanit

“Perëndimi ka nevojë për një qasje dhe strategji të re. Pyetja qendrore këtu për shkak të gjeografisë është se kush është me Perëndimin e kush jo?”, ka thënë Gërvalla.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron.

Pas takimit, ata kanë mbajtur një konferencë për media, me ç’rast Gërvalla ka theksuar se Perëndimit i nevojitet që të ketë një qasje të re ndaj Ballkanit, raporton Klan Kosova.

“Gjatë bisedës e njoftova rreth zhvillimit të jashtëzakonshëm të Kosovës në fusha të ndryshme, e sidomos në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit. Duke vënë në pah sfidat që u përballëm, e falënderova për mbështetjen britanike. Kosova do të jetë mirënjohëse për jetë”, ka thënë Gërvalla.

Tutje, ajo ka thënë se ka shprehur mirënjohjen e thellë për reagimin e shpejtë të Mbretërisë së Bashkuar pas sulmit të 24 shtatorit dhe dërgimin e trupave shtesë.

“Kosova është e hapur dhe e gatshme për biznes. Që Kosova është pjesë e Perëndimit për këtë nuk ka asnjë dilemë”, ka shtuar ajo.

“Perëndimi ka nevojë për një qasje dhe strategji të re. Pyetja qendrore këtu për shkak të gjeografisë është se kush është me Perëndimin e kush jo?”, ka thënë ajo tutje.

Sipas saj, recetat e vjetra të para sulmit të Rusisë kundër Ukrainës nuk funksionojnë më.

“Perëndimi ka qenë i suksesshëm atëherë kur ka pasur një qëndrim të përbashkët. Mbretëria e Bashkuar për Kosovën është një partner i veçantë strategjik”, ka potencuar Gërvalla.

Më tej, ajo e ka treguar se gjatë takimit me Cameron, e ka falënderuar atë për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka ofruar Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Pas takimit me Gërvallën, kryediplomati britanik do ta takojë edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin. Kjo është dita e dytë e Cameronit në Kosovë dhe vizita e parë e tij jashtë vendit që nga fillimi i vitit 2024.

Gjatë ditës së djeshme, ai është takuar me kryeministrin Albin Kurti, ku i ka konfirmuar mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës.