Arkat fiskale kalojnë në formën digjitale

Arkat fiskale kalojnë në formën digjitale

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë me dije arkat fiskale po bëhen digjitale.

“Tash e sa kohë kemi punuar që të ndryshojmë sistemin e arkave fiskale, nga ato hardwerike siç është aktualisht, në arka fiskale softwerike apo digjitale. Sot e bëmë edhe lansimin e sistemit të ri, duke demonstruar edhe live se si funksionon. Sistemi i ri që kemi ndërtuar mundëson komunikimin me ofruesit e softwerit përmes API, që nënkupton hapjen e tregut, pra më shumë konkurrencë dhe rrjedhimisht edhe kosto shumë më të lirë të operimit”, ka shkruar Murati në “Facebook”.

Ai ka theksuar se mjafton një laptop/kompjuter dhe një printer termik, që një biznes të mund të lëshojë kuponë fiskalë, pa pasur nevojë të blihen arka fiskale të shtrenjta.

“Sistemi i ri gjithashtu mundëson komunikimin edhe me aplikacion që skanon QR kodin e secilit kupon fiskal, duke hapur rrugë për skema të ndryshme nxitëse që shpërblejnë qytetarët të cilët marrin kuponin fiskal. Në vijim, do të bëjmë edhe plotësimin e udhëzimit administrativ, për të mundësuar fillimin e pilotimit me sistemin e ri. Do t’ju mbajmë të njoftuar për çdo zhvillim tjetër në këtë fushë. Stay tuned! Qeveria digjitale!”, ka shkruar Murati.