Shqipëri: 18 persona të arrestuar për këmbim të paligjshëm të kriptovalutave
Policia në Shqipëri ka bërë të ditur se të hënën ka arrestuar një grup kriminal prej 18 personash që ka tregtuar në mënyrë të paligjshme kriptovaluta me para të gatshme, dhe anasjelltas.
Ata akuzohen për “ushtrim pa licencë të veprimtarive financiare” dhe “fshehje të të ardhurave”.
Ndaj një personi është marrë masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur”, ndërsa dy shtetas të Maqedonisë së Veriut janë shpallur në kërkim, raporton Rel.
Autoritetet kanë thënë se këta individë, vetëm apo në cilësinë e administratorëve të subjekteve ekonomike në Tiranë dhe në Shkodër, kanë këmbyer kriptovaluta me para të gatshme, pa qenë të pajisur me licencën e nevojshme.
Nga kontrollet e kryera në 32 ambiente, janë sekuestruar 13 pajisje kompjuterike, 27 telefona mobilë, dhe rreth 750.000 euro, që dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie të jashtëligjshme.
Shefja e Drejtorisë për Hetimet e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, Ervina Gjana, ka thënë se operacioni i koduar “USDT-1” është i pari i këtij lloji në Shqipëri.