Haziri i reagon Bislimit: Ishte Gjykata Kushtetuese ajo që ia dha mandantin LVV-së
Bislimi ka deklaruar se vendimet e kësaj gjykate nuk janë kredibile.
Numri dy i ekzekutivit theksoi se vendimet rrjedhin nga një ambient i korruptuar.
“Gjykata jonë Kushtetuese njihet për prodhim të dokumenteve kontroverse në vendime dhe këtë e shohim në baza ditore, sepse ne besojmë se atyre u mungon kompetenca dhe kredibiliteti, dhe ky nuk është i vetmi vendim i Gjykatës që nuk ka mundur të zbatohet në të kaluarën, për shembull Gjykata ka prodhuar një dokument tjetër, një vendim tjetër, që pak a shumë njeh kërkesën e punëtorëve të një kompanie të privatizuar në Ferizaj në vlerë prej 22 milionë euro, ndërsa në të njëjtën kohë ligji thotë se nuk mund të kompensohen punëtorët më shumë se 80% për qind të vlerës së shitur të firmës, që ka qenë 5 milionë”, deklaroi Bislimi në një intervistë për Radio Gorazhdec.
“Nëse puna ime, nëse premtimi im për qytetarët është të sjell drejtësi, dhe kur dihet mirë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është produkt i një ambienti të korruptuar, më së paku që mund të bëj është të deklaroj publikisht se ky vendim, sipas mendimit tim, nuk është produkt i një institucioni kredibil”, theksoi ai.
Ndaj tij ka reaguar nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.
Haziri tha se ishte pikërisht Gjykata Kushtetuese ajo e cila ia mundësoi Lëvizjes Vetëvendosje që ta fitojë mandatin e qeverisjes.
“Kredibiliteti i kësaj Gjykate është aq i lartë sa ka rrëzuar dy presidentë nga zyra dhe një qeverie ia ka mbyll mandatin pas gjashtë muajsh. Bash kjo Gjykatë, me vendimin e saj, ka krijuar ambieent që VV t’i fitojë zgjedhjet. Gjykatësi që e solli këtë vendim. është këshilltar i madh te Presidentja Osmani – Sadriu”, tha ai.
Ai theksoi se me këtë rast po shkaktohet pasiguri juridike tek qytetarët.
Sipas, numrit dy të LDK-së kështu nuk bëhen burrështetasit.
“Jeni kontravers dhe mosmbajtes të fjalës e premtimit dhe kurrë nuk bëheni burrështetas kështu. Per qytetarët po shkaktoni pasiguri juridike, ndërsa për institucionin, po tregoheni mosrespektues e besa edhe mosmirënjohes që ju hapën udhë!”, shtoi numri dy i LDK-së.