Cameron viziton Kosovën, pritet në aeroport nga Gërvalla

Cameron viziton Kosovën, pritet në aeroport nga Gërvalla

Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, ka mbërritur në Kosovë, në një vizitë njëditore, ku do të zhvillojë takim me presidenten, Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministrin, Albin Kurti dhe zv.Kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Kjo është vizita e parë që Lord David Cameron zhvillon në Ballkan pas zgjedhjes së tij si Ministër i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar.

Republika e Kosovës është destinacioni i tij i vetëm nga shtetet e Evropës Juglindore që kësaj radhe viziton ai.

Kryediplomati David Cameron është pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nga zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, me të cilën do të zhvillojë takim ditën e nesërme duke filluar nga ora 08:30 në zyrat e MPJD-së.

PPas takimit dypalësh, zv.Kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron do t’iu adresohen medieve.

David Cameron ka qenë Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 2010-2016 dhe aktualisht ushtron detyrën e Ministrit të Jashtëm.