Scholz thotë se do të kërkojë votëbesim në dhjetor
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, njoftoi të mërkurën se do të kërkojë votëbesim më 16 dhjetor, për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në shkurt.
Ai e bëri këtë njoftim gjatë një fjalimi në Parlament, një javë pasi dështoi koalicioni qeverisës trepartiak, transmeton Rel.
Gjermania është qeverisur prej vitit 2021 nga një koalicion i udhëhequr nga partia e Scholzit, Socialdemokratët, i cili përfshinte edhe të Gjelbërit dhe Demokratët e Lirë.
Aleanca mes tyre ishte e përçarë dhe jo e lehtë, dhe përfundimisht dështoi javën e kaluar kur Scholzi e shkarkoi ministrin e Financave, Christian Lindner, i cili vjen nga Demokratët e Lirë, pas mosmarrëveshjeve për mënyrën se si të ringjallej ekonomia e dobësuar e vendit.