Në kuadër të vizitës zyrtare në Vjenë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u prit në takim bilateral nga kancelari i Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker.
Kurti shprehu falënderime për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës që nga vitet e ’90-ta, pastaj në shtet ndërtim dhe në rrugën evropiane, e po ashtu për kontributin në kuadër të KFOR-it.
Teksa vlerësoi mbështetjen e Austrisë ndaj Kosovës të shprehur në Komitetin e Ministrave, në Kishinau në maj të vitit 2026, kryeministri në detyrë Kurti theksoi se një nga prioritetet më të larta të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbetet anëtarësimi në Këshillin e Evropës.
Ai nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes nga Austria dhe rolit të saj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Kryeministri në detyrë Kurti tha se mirëpret deklaratën e kancelarit Stocker në Tivat, se Bashkimi Evropian nuk është i plotë, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa Ballkanin Perëndimor.
Pasi tha se Republika e Kosovës është e përcaktuar, e angazhuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj të anëtarësimit, kryeministri në detyrë Kurti foli për rëndësinë që BE-ja të përgjigjet me dhënien e statusit të shtetit kandidat dhe hapjen e negociatave.
Në takim u bisedua për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, me theks të veçantë bashkëpunimin ekonomik e tregtar, investimet dhe rolin e rëndësishëm të mërgatës, energjinë dhe transformimin digjital. Ndërsa, u diskutua edhe për sigurinë, mbrojtjen dhe bashkëpunimin rajonal.
Kryeministri në detyrë Kurti uroi Austrinë për zgjedhjen anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2027-2028, ndërkaq pranoi urime për fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

