Presidenti Ademi uron vajzat e Kombëtares U17
Vajzat e Kombëtares U17 kanë siguruar kalimin në Ligën A për kualifikimet e Evropianit 2025.
“Urime kalimi në Ligën A për kualifikimet e Evropianit 2025 për Kombëtaren U17. Fitorja ndaj Shqipërisë (3:1) dhe barazimi ndaj Izraelit (1:1) rezultuan të mjaftueshme që Dardanet U17 të kualifikohen tutje në këtë cikël të garave”, ka shkruar presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
Ai ka shkruar në Facebook se ky është viti i tretë radhazi që Kombëtarja U17 siguron kalimin në Ligën A të kualifikimeve të Evropianit dhe është dëshmi e punës me gjeneratat e reja.
“Përgëzoj futbollistet e reja për këtë sukses dhe stafin e trajnereve në krye me Sanije Krasniqin për punën me këtë gjeneratë të futbollisteve”.
“Paraqitja në Ligën A me ekipe shumë të forta do të jetë një mundësi e mirë për lojtaret e reja që të zhvillohen edhe më shumë dhe të fitojnë eksperiencën e duhur në nivele të tilla. Forca Kosovë”, ka shkruar Ademi.