Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka përkujtuar legjendën e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, në tetëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Ademi vlerësoi figurën dhe kontributin e Vokrrit, duke theksuar se ai ishte futbollisti më i madh që ka nxjerrë Kosova gjatë viteve të 80-ta dhe një nga personalitetet më të rëndësishme në historinë e sportit kosovar.
Postimi i plotë:
Tetë vjet pa Legjendën e numrit 9
Ka emra që nuk i përkasin vetëm historisë, por bëhen pjesë e identitetit të një kombi. E një emër i tillë është padyshim Fadil Vokrri.
Ai ishte futbollisti më i madh që ka nxjerrë Kosova gjatë viteve të 80-ta dhe që gjatë karrierës së tij e barti me krenari fanellën me numrin 9. E pikërisht më 9 qershor 2018, ai u nda nga jeta, duke e lidhur përgjithmonë këtë numër me emrin dhe trashëgiminë e tij.

Sot, tetë vjet më vonë, kujtimi për të mbetet po aq i fortë sa dita kur na la. Fadil Vokrri nuk ishte vetëm një golashënues i jashtëzakonshëm dhe një ikonë e futbollit. Ai besoi në ëndrrën e Kosovës kur ajo dukej e paarritshme dhe punoi pa u ndalur për ta bërë realitet.
Nga sukseset në fushën e blertë deri te udhëheqja e futbollit të Kosovës drejt anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, ai la gjurmë që nuk do të shlyhen kurrë.
Numri 9 në fanellën e tij simbolizonte golat, suksesin dhe lidershipin. Data 9 qershor na kujton dhimbjen e humbjes së tij, por edhe përgjegjësinë për ta ruajtur dhe vazhduar rrugën që ai e ndërtoi.

Fadil Vokrri mbetet më shumë se një emër në historinë e futbollit tonë. Ai është frymëzim, krenari dhe pjesë e përhershme e identitetit të futbollit të Kosovës.
Përherë në kujtimet tona. Përherë Legjendë.

