Hendboll, java e Kombëtares A

Hendboll, java e Kombëtares A

Në orët e para të së hënës, hendbollistëte Kombëtares së Kosovës nisen për në Torshavn të Ishujve Faroe.

E gjithë java e ardhshme do të jetë në shenjë të Kombëtares A, që fillon fazën e dytë kualifikuese për Euro 2026.

Të mërkurën prej orës 20:00 në Torshavn është ndeshja Ishujt Faroe – Kosova.

Ndeshja vlerësohet sfiduese, por djemtë tanë udhëtojnë me optimizëm për shfaqje pozitive dhe për të fituar pikë.
Kombëtarja jonë kthehet në kualifikimet e rregullta për Evropian.

Në kualifikimet për Euro 2024, Kosova ishte në grup të vështirë me Slloveninë, Bosnjë-Hercegovinën e Malin e Zi. Luajti ndeshje të forta me gjitha këto, por pa ia dalë të kualifikohet.

Kualifikimi në Evropian është synimi i madh i kombëtares sonë.

Ishujt Faroe morën pjesë në Evropianin e mbajtur në janar. Pësuan 32:29 nga Sllovenia, barazuan 26:26 me Norvegjinë dhe pësuan 32:28 nga Polonia. Nuk e kaluan grupin e fortë.

Në Torshavn, Kombëtarja jonë planifikohet t’i ketë katër seanca stërvitore deri në ndeshje.

Të enjten është kthimi në Kosovë dhe menjëherë nisin përgatitjet për ndeshjen me Holandën, që zhvillohet të dielën nga ora 17:15 në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë.

Holanda është favoritja e grupit. Në Evropianin e mbajtur në janar përfundoi e 12-ta.

Por djemtë tanë, të përkrahur nga tifozët, synojnë suksesin edhe ndaj Holandës.

Në Grupin 6 është edhe Ukraina.

Ndeshjet e Kombëtares sonë me Ukrainën janë në muajin mars.

Fillimisht i gjithë fokusi është te ndeshja me Ishujt Faroe.