Hoxhaj: Në Raportin e Progresit shihet se Kosova ka marrë vetëm obligime nga dialogu me Serbinë
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se kur e lexon raportin e progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, është për të ardhur keq që procesi i transformimit është ndalur dhe bllokuar, pasi gjatë viteve të fundit Kosova nuk ka pasur asnjë reformë të brendshme në asnjë sektor dhe asnjë sukses në politikën e jashtme.
Sipas tij, Kosova ka marrë vetëm obligime nga dialogu me Serbinë, pa asnjë përfitim konkret dhe pa mbështetje politike dhe financiare.
“Në raportin e progresit thuhet qartë se Kosova nuk pritet të marrë statusin e kandidatit në një kohë të afërt. Pas aplikimit në dhjetorin e vitit 2022, kërkesa e Kosovës nuk është trajtuar fare në Bruksel, as me shkrim dhe as me ndonjë zotim politik joformal! Raporti thekson se Kosova duhet të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit. Gjithashtu, theksohet qartë se propozimi evropian për Asociacionin është çështje e përfunduar për BE-në dhe Kosova vetëm duhet ta zbatojë atë. Ajo që përmban teksti i raportit është mjaft shqetësuese, ku thuhet: ‘Si Kosova ashtu edhe Serbia pritet të zbatojnë obligimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (A/CSM). Kosova pritet të nisë procesin që çon në krijimin e A/CSM bazuar në propozimin evropian të paraqitur ndaj Palëve më 21 tetor 2023. Serbia pritet të fillojë të përmbushë detyrimet e saj nga Marrëveshja paralelisht duke inicuar njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës’. Nga ky paragraf kuptohet qartë që Marrëveshja e Brukselit dhe Asociacioni janë në fuqi, dhe përtej debatit të nënshkrimit dhe zbatimit, të gjitha këto janë në fuqi”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.