PDK shpalos sloganin dhe programin qeverisës: Kosova mundet ma mirë

PDK shpalos sloganin dhe programin qeverisës: Kosova mundet ma mirë

Partia Demokratike e Kosovës e ka mbajtur konventën në mbështetje të Bedri Hamzës, kandidatit të saj për kryeministër.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në këtë konventë ka thënë se Kosovës i duhet një qeveri që i shërben, e mbron dhe e fuqizon popullin e vet, në secilën fushë.

Krasniqi tha se Bedri Hamza është kryeministri më i mirë që mund të ketë sot Kosova, sepse është lider i dëshmuar, i cili gjatë gjithë karrierës së tij politike ka jetuar me parimet e shërbimit, përgjegjësisë dhe qëllimeve fisnike.

“Nuk kam dyshim aspak se Bedri Hamza do të udhëheq me ndershmëri, integritet dhe përkushtim, për çka Kosova sot ka nevojë më shumë se kurdoherë. Si dikush që ka punuar gjatë me Bedriun dhe e njeh mirë atë, unë ju siguroj se tek Bedriu, Kosova nuk do të gjejë thjesht një Kryeministër, por një njeri të vendosur për ta bërë vendin tonë më të fortë, më krenar dhe më të mirë. Prandaj, Bedri Hamza e meriton mbështetjen tonë, sepse Kosova ka nevojë për Bedri Hamzën”, theksoi lideri i PDK-së.

Krasniqi tha se Partia Demokratike e Kosovës po e nisë një epokë të re, vizionin për të ndërtuar një të ardhme që sjellë mundësi të reja dhe një jetë më të mirë për çdo familje në vendin tonë.

Ndërkaq, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, shpalosi sloganin e fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Nëse ka një mesazh që dua ta merrni të gjithë ju nga kjo konventë, është bindja jonë se Kosova mundet ma mirë. Ky është edhe slogani i fushatës sonë “Kosova mundet ma mirë”. Ne jemi këtu për ta dëshmuar këtë. Ndërsa, unë si kryeministër, ju siguroj se do ta bëj këtë”, tha Hamza.