BE-ja nuk është gati për t’u pavarësuar tërësisht prej gazit rus
Në vjeshtën e vitit 2022, Kremlini pati parashikuar një dimër të zymtë për banorët e Bashkimit Evropian.
Pas ndaljes së gazit natyror për Evropën – si hakmarrje për sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë, për luftën e nisur prej Moskës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022 – Kremlini dhe mediat ruse pro tij, kanë parashikuar me kënaqësi që Evropa, pa gazin rus, do të bëhet djerrinë me qytete të akullta. Evropianët do të ishin me fat nëse nuk do të vdisnin prej të ftohtit në shtretërit e tyre.
Ndonëse çmimet e energjisë janë rritur, BE-ja nuk është ngrirë, dhe ka pasur fat që është përballur me një dimër të butë.
Për t’u përballur me mungesën e gazit rus, përgjatë muajve të ftohtë, dhe gjithë vitit 2023, BE-ja ka mbledhur rezerva, e ka rritur importin e gazit të lëngshëm natyror, kryesisht prej Shteteve të Bashkuara, i ka inkurajuar konsumatorët që të mos konsumojnë shumë energji dhe të përmirësojnë efiçencën, si dhe është mbështetur më shumë në burimet e ripërtrishme, sikurse era dhe energjia diellore.
“Bashkimi Evropian ka bërë përparim të madh prej shkurtit të vitit 2022 për ta zvogëluar varësinë prej importeve ruse të gazit”, ka thënë Akos Losz, hulumtues i lartë në Qendrën për Politika Globale të Energjisë, e Universitetit Columbia, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Kjo, sipas ekspertëve, është gjë e mirë për sigurinë afatgjate të BE-së, ndonëse braktisja e plotë e energjisë ruse do të jetë mision shumë i vështirë, për shkak të ndasive në BE, ku shtetet, jo vetëm që kanë nevoja të ndryshme për energji, por edhe marrëdhënie të ndryshme me Kremlinin.
“Rrjedhjet aktuale janë më të vështira për t’u ndalur për shkak të kombinimit të gjeografisë, përkushtimeve kontraktuale dhe – në disa raste – interesave politike”, ka thënë Losz.
Në kohën kur Moska e ka nisur luftën e vitit 2022 në Ukrainë, BE-ja është varur kryesisht prej Rusisë për furnizime me gaz.
Në total, 40 për qind e gazit të siguruar prej BE-së ka qenë prej Rusisë. Brenda BE-së, Hungaria ka siguruar mbi 95 për qind të gazit prej Rusisë, për dallim prej Spanjës, e cila ka siguruar reeth 10 për qind të gazit prej Moskës, sipas të dhënave të bllokut evropian për vitin 2021.
Megjithatë, importuesja më e madhe e gazit rus brenda BE-së ka qenë Gjermania, me 55 miliardë metra kubë, çka përbën 65 për qind të importeve shtetërore të gazit.
Para nisjes së luftës në shkurt, eksportet e gazit rus në BE ishte paraparë që të rriteshin, pas kompletimit të gazsjellësit të ri, Rrjedha Veriore 2. Sikurse motra e saj më e madhe, Rrjedha Veriore 1, gazsjellësi ishte ndërtuar për të transportuar gazin prej Rusisë në Gjermani, përmes Detit Baltik, dhe është financuar prej gjigantit shtetëror rus, Gazprom, dhe disa kompanive tjera evropiane të energjisë.
Paralajmërimet për rreziqe gjeopolitike për varësi të madhe në gazin rus patën rënë në veshë të shurdhër brenda bllokut.
“Rusia gjithmonë e përdor energjinë si mjet shantazhi”, ka thënë Philip Lausberg, analist në Qendrën për Politika Evropiane, me bazë në Bruksel, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Kjo është qartazi arma më e fuqishme që e kanë”.
Ukraina e ka ditur shumë mirë si funksionon ky lloj “shantazhi”, pasi Moska rregullisht ia ka mbyllur Kievit turbinat, sa herë ka pasur mospajtime me të.
Importet e gazit rus në BE janë zvogëluar për gati një të tretën, në krahasim me nivelet para nisjes së luftës në Ukrainë.
Sipas të dhënave të BE-së, në çerekun e tretë të vitit 2021, 39 për qind e gazit në bllokun evropian është siguruar prej Rusisë. Dy vjet më vonë, në çerekun e tretë të vitit 2023, kjo sasi ka rënë në 12 për qind.
Zvogëlimi i sasisë ka qenë pjesërisht nevojë, pasi Rusia i ka ndërprerë njëanshëm furnizimet me gaz për disa konsumatorë evropianë më 2022, çka ka rezultuar me rritje rekorde të çmimeve.
Në mesin e tyre ka qenë Bullgaria, Polonia, Finlanda dhe Holanda, të cilat kanë refuzuar të paguajnë për gazin rus në rubla – kusht që është vënë për “shtetet jomiqësore”, të cilat zakonisht kanë paguar në dollarë apo euro, si mënyrë për t’iu shmangur sanksioneve financiare evropiane kundër Bankës Qendrore të Rusisë.