Gjermania i bën thirrje Serbisë t’i rishqyrtojë projektligjet për Kosovën

Gjermania i bën thirrje Serbisë t’i rishqyrtojë projektligjet për Kosovën

Ministria e Jashtme e Gjermanisë i ka bërë thirrje të premten Serbisë t’i rishqyrtojë projektligjet e miratuara rishtazi për juridiksion gjyqësor në Kosovë dhe për ta shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.

Në një shkrim në X, Gjermania iu bashkua qëndrimit të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian se Qeveria e Serbisë i ka shkelur detyrimet nga dialogu i Brukselit duke miratuar këto projektligje, të cilat pritet të dalin për votim në Parlament.

“Ne u bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës ta zbatojnë pa asnjë vonesë marrëveshjen e Ohrit, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha Ministria gjermane, shkruan Rel.

Qeveria e Serbisë njoftoi në fillim të javës se e aprovoi një projektligj për, siç e quajti ajo, organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës, si dhe një projektligj tjetër për shpalljen e Kosovës si “zonë e mbrojtjes së veçantë sociale”.