Çeku: Vendosmëria institucionale ka qenë vendimtare në shpëtimin e monumenteve
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka theksuar se vendosmëria institucionale ka qenë vendimtare në shpëtimin e monumenteve edhe kur u sfiduan nga zjarrëvëniet dhe aktivitetet degraduese të periudhës së fundit, me shkollën e parë shqipe në Ferizaj, muzeun e Muzikës në Gjakovë, shtëpinë Koroglu në Mitrovicë dhe “Kompleksin Saraji i Vjetër” në Prizren.
“Nga sot jemi edhe më të fortë në betejën tonë. Kemi themeluar Grupin Koordinues Ndërinstitucional për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, pjesë e të cilit janë Ministria e Kulturës, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Policia e Kosovës”.
“Qëllim i këtij grupi ndër të tjera është hartimi i Planit të Veprimit ku parashihen masat dhe veprimet konkrete që rrisin efikasitetin institucional në mbrojtje të trashëgimisë, me fokus në parandalimin e aktiviteteve që cënojnë integritetin fizik të monumenteve. Të bashkuar, ministritë, gjyqësori, policia, do të jemi më efikas jo vetëm në trajtimin e pasojave por edhe parandalimin e rrënimeve. Faleminderit ministrave dhe udhëheqësve të institucioneve, KGJK, KPK dhe Policia e Kosovës për bashkëpunimin e mirë deri tani dhe gatishmërinë e vullnetin që mbrojtjen e trashëgimisë ta qojmë në nivel edhe më të lartë”, ka theksuar Çeku.
Ai ka pohuar se takimet e grupit do t’i kenë të rregullta dhe veprimet e koordinuara.
“Shteti i Kosovës me të gjithë mekanizmat do të sigurohet që në fund kultura të triumfoj”, ka shkruar Çeku në Facebook.