Haradinaj paraqet planin për anëtarësimin e Kosovës në NATO
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se plani dhjetëvjeçar i dakorduar me Amerikën dhe NATO-n është themeli për veprimin e ardhshëm, anëtarësimin e drejtpërdrejtë në NATO.
Ai ka thënë se Partneriteti për Paqe tashmë është realizuar përmes këtij plani.
“Tani, Kosova synon anëtarësimin e plotë në NATO përmes një plani të ri që përfshin tri aspekte kryesore: 1. Politik: Forcimi i marrëdhënieve me institucionet euroatlantike; Përmbushja e obligimeve në dialog; Konsolidimi i demokracisë në Kosovë; Përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët. 2. Ushtarak: Ngritja e kapaciteteve luftarake të Ushtrisë së Kosovës; Zhvillimi i industrisë mbrojtëse vendore; Prodhimi i municioneve, predhave dhe pajisjeve të tjera ushtarake; Përmirësimi i infrastrukturës ushtarake dhe mbrojtëse civile; Rritja e kontributit të Kosovës në angazhimet e NATO-s. 3. Ekonomik: Aktivizimi i resurseve të Kosovës për partneritet ekonomik me vendet e Aleancës”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Lideri i AAK-së ka theksuar se anëtarësimi në NATO do të sjellë përfitime të shumta.
“Do të jetë kthesa më e madhe e sigurisë për Kosovën; Do të garantojë zhvillim ekonomik duke rritur vlerën e resurseve dhe potencialeve të vendit; Do të inkurajojë investitorët vendas dhe të huaj; Do ta shndërrojë Kosovën në një adresë të rëndësishme ekonomike”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo kthesë e madhe ekonomike do të sigurojë qëndrimin e qytetarëve, veçanërisht të rinjve në Kosovë, përmirësimin e sistemit shëndetësor, duke ofruar shërbime cilësore për të gjithë, ngritjen e cilësisë së arsimit në nivelin e vendeve të NATO-s dhe përshtatjen e arsimit me nevojat e tregut të punës.
“Aleanca hyn në zgjedhje me vizionin e kësaj kthese të madhe në siguri dhe ekonomi. Ky vizion synon të sigurojë: Paga dhe pensione të dinjitetshme për qytetarët; Kushte më të mira jetese; Zhvillim të qëndrueshëm në të gjitha sferat. Udhëheqja nacionale kërkon vizion të gjerë. Anëtarësimi në NATO është përgjigje për zhvillimin e përgjithshëm të vendit, duke përfshirë qëndrimin e popullatës, përmirësimin e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe sigurimin e pagave të dinjitetshme”, ka theksuar Haradinaj.