Fatmir Sopi në Hagë e quan hero të gjallë Hashim Thaçin
Dëshmitari Fatmir Sopi, ish-anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është marrë të hënën në pyetje nga prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuara (ZPS) në procesin gjyqësor ndaj liderëve të UÇK-së.
Gjatë marrjes në pyetje në një moment, Sopi e ka quajtur hero të gjallë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Këtë vlerësim, Sopi e ka dhënë kur është pyetur nga prokurori që t’i identifikojë disa persona në një fotografi të luftës në të cilën ishte edhe Thaçi.
Sopi gjatë dëshmisë së tij ka thënë se në zonën ku ka vepruar ai, nuk ka pasur përçarje politike përpos misionit për luftën çlirimtare.
Këtë deklarim, Sopi e ka bërë kur është pyetur nga avokatja e Jakup Krasniqit, Shyamala Alagendra se nëse ka pasur ndonjë politikë UÇK-ja që ata që ishin në LDK të konsideroheshin kolaboracionistë.
“Në zonën ku kam vepruar unë, nuk ka pasur asnjë përçarje politike dhe nuk ka pasur asnjë politikë përpos luftës çlirimtare dhe nuk ka pasur asnjë mosmarrëveshje politike në mes të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjithë e kanë pasur për parti dhe për politikë luftën e drejtë çlirimtare dhe çlirimin e vendin tonë”, ka thënë dëshmitari.