Një muaj paraburgim për dy personat që sulmuan fizikisht kryetarin e Pejës

Një muaj paraburgim për dy personat që sulmuan fizikisht kryetarin e Pejës

Një muaj paraburgim u është caktuar dy të dyshuarve për sulmin fizik ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Elzana Kastrati.

“Dy të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj. Vendimi për masën e paraburgimit është marrë sot”, tha Kastrati.

Muhaxheri u sulmua mëngjesin e të shtunës në rrugën “Bill Klinton” në Pejë.

Ai ishte bashkë me një person tjetër, në momentin që u sulmua dhe për pasojë të dy pësuan lëndime trupore, për çka morën trajtim mjekësor.

Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi ka thënë për Telegrafin se deri tek sulmi ndaj kryetarit Muhaxheri dyshohet se ka ardhur si pasojë e një investimit të ujësjellësit nga Komuna e Pejës në fshatin Stankaj të Rugovës.

“Të dyshuarit janë vëllezër dhe vijnë nga fshati Stankaj i Rugovës dhe dyshohet se për shkak të detyrës zyrtare që ka kryer kryetari i Pejës, respektivisht Komuna e Pejës në zonën e Rugovës në fshatin Stankaj lidhur me një ujësjellës, dyshimet fillestare janë se për këtë arsye është sulmuar kryetari”, tha Nikçi.

Ai shtoi se të pandehurit dyshohet se kanë qenë kundër këtij investimi nga komuna në këtë fshat dhe se për këtë arsye kanë sulmuar kryetarin.