Kryeprokurori i Shtetit kërkon nga kryeprokurorët rritje të efikasitetit në trajtimin e rasteve

Kryeprokurori i Shtetit kërkon nga kryeprokurorët rritje të efikasitetit në trajtimin e rasteve

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka mbajtur kolegjiumin e rregullt me të gjithë kryeprokurorët e prokurorive të vendit, përfaqësues të prokurorive dhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Ambasadës së ShBA-së në Kosovë.

Në këtë takim u diskutua për çështjet penale që ndërlidhen me bashkëpunimin juridik ndërkombëtarë me ç’rast u.d. Kryeprokurori Kelmendi ka kërkuar që këto raste të trajtohen me prioritet për të ngritur edhe imazhin e Prokurorit të Shtetit karshi partnerëve ndërkombëtarë.

Një çështje tjetër me rëndësi që u diskutua në këtë takim ishte edhe aplikimi procedurave alternative, si procedura efikase dhe produktive për zgjidhjen e rasteve penale nga ana e prokurorëve të shtetit, aplikimi i të cilave do të ndikoj në uljen e rasteve penale, zvogëlimin e kostos shtetit dhe palëve në procedurë, si dhe ekonomizimin e kohës.

Edhe për këtë çështje ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ka kërkuar nga kryeprokurorët e prokurorive aplikim e këtyre procedurave në çdo rast kur ka mundësi ligjore, duke i inkurajuar ata që të angazhohen maksimalisht në rritjen e efikasitetit në aplikimin e procedurave alternative.