Izraeli kryen sulme ajrore në Damask
Izraeli ka kryer sulme ajrore në kryeqytetin sirian, Damask, dhe pranë një objekti të ushtrisë në afërsi të Homsit, tha Ministria siriane e Mbrojtjes, teksa sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vizitoi rajonin e Lindjes së Mesme duke kërkuar që të ndalen luftimet.
Sulmet izraelite goditën lagjen Karf Sosa në qendër të Damaskut dhe një objekt të ushtrisë në Homs, duke vrarë një ushtar dhe duke plagosur shtatë të tjerë, tha Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi, raporton Rel.
Ministria tha se sulmet kanë shkaktuar “dëme materiale”, por nuk ka dha më shumë detaje. Më herët gjatë 24 tetorit, media shtetërore siriane raportoi se janë dëgjuar shpërthime në Damask, pasi Izraeli goditi një ndërtesë banimi në Karf Sosa.
Izraeli zakonisht nuk komenton për raportime specifike të sulmeve në Siri.
Për vite të tëra, Izraeli kryen sulme ndaj caqeve të lidhura me Iranin në Siri, por ka intensifikuar sulmet që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor 2023, pas sulmit të paprecedent të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në jug të Izraelit.