Katër të vrarë, 14 të plagosur në një sulm në kompaninë turke të mbrojtjes në Ankara
Një grup sulmuesish shpërthyen një bombë dhe shtinë me armë zjarri të mërkurën në ndërtesën e kompanisë së mbrojtjes dhe hapësirës ajrore të Turqisë, TUSAS, duke i vrarë katër njerëz dhe duke i plagosur disa të tjerë, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.
“Kemi katër martirë. Kemi 14 të plagosur. E dënoj këtë sulm terrorist dhe u uroj mëshirë martirëve tanë”, tha Erdogan një takimi me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në margjinat e samitit të BRICS në Kazan të Rusisë.
Të paktën dy nga sulmuesit u vranë, tha ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya.
Selim Cirpanoglum, kryetar i qarkut të Kahramankazanit, tha për Associated Press se sulmi është frenuar, por nuk ishte në gjendje të jepte më shumë hollësi.
Yerlikaya nuk dha më shumë hollësi rreth sulmit në TUSAS, e cila është kompani në pronësi të shtetit turk, në periferi të kryeqytetit Ankara.
Nuk është e qartë se kush qëndron pas këtij sulmi. Militantët kurdë, grupi Shteti Islamik dhe ekstremistët majtistë kanë kryer sulme në këtë vend në të kaluarën.