2 Korriku fiton ndaj UC Dublin në UEFA Youth League
Ekipi U19 i FC 2 Korrikut vazhdon të shkëlqejë në arenën evropiane qysh në debutimin e tij në UEFA Youth League. Pasi eliminoi Bylisin, skuadra nga kryeqyteti, të mërkurën, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, arriti të fitojë me përmbysje të rezultatit ndaj kampionëve të Irlandës, UCD AFC nga Dublini, duke siguruar një fitore shpresëdhënëse, 2-1.
Nën drejtimin e trajnerit Labinot Haziri, djemtë e kryeqytetit treguan talent të jashtëzakonshëm dhe luftuan deri në fund, duke kthyer rezultatin pas disavantazhit të hershëm. Pasi UCD kaloi në epërsi me golin e Roy Lawlor në minutën e 30-të, FC 2 Korriku reagoi fuqishëm. Lis Berisha, hero i ndeshjes, realizoi dy herë, në minutën e 42-të dhe 59-të, për t’i dhuruar skuadrës së tij një fitore të rëndësishme.
Ndeshja e kthimit zhvillohet më 6 nëntor, në Dublin, në orën 20:00.