Krasniqi takohet me raportuesin për Kosovën në Bundestag, flasin për zhvillimet në vend e rajon
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka pritur në Prishtinë, deputetin gjerman, Thomas Hacker, i cili është raportues për Kosovën në Bundestag.
Krasniqi tha se me Hackerin folën për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, por edhe për bashkëpunimin ndërpartiak mes PDK-së dhe FDP-së gjermane përmes aktiviteteve të përbashkëta me Fondacionin Friedrich Nuamann.
“Po sot, bashkë me z. Hacker, hapëm seminarin “Lidershipi dhe Qeverisja Liberale: Perspektivat për Kosovën”, organizuar nga FNF. Ishte një diskutim frymëzues mbi rëndësinë e liberalizmit në politikën tonë, ku bashkë me asamblistë nga Partia Demokratike e Kosovës, theksuam nevojën për një politikbërje të bazuar në ide e vlera dhe lidership të vendosur që adreson sfidat e kohës sonë”, shkroi Krasniqi.
Tutje, Krasniqi tha se ky është një moment kyç për Kosovën dhe një mundësi për ta rikthyer fokusin tek politika e përgjegjshme që sipas tij, ndërton një të ardhme më të mirë për të gjithë.
“Unë jam i bindur për rëndësinë që vlerat liberal-demokratike kanë për të ardhmen e Kosovës si kundërpeshë ndaj populizmit dhe bazë për zhvillim e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve”, tha Krasniqi.