Zhytësi i njohur Ismail Kasumi ka ndarë me ndjekësit e tij në ‘Facebook’ disa fotografi të rralla nga viti 1999, të cilat i ka pranuar si një “befasi të këndshme” nga fotografi Ridvan Slivova.
Fotografitë janë realizuar në Banjë të Malishevës, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, në një periudhë që, sipas Kasumit, ishte e vështirë, por e mbushur me shpresë për një fillim të ri.

Ai kujton se në atë kohë ishte i angazhuar në aktivitete dhe trajnime të zhytjes, në kuadër të detyrave të periudhës së pasluftës, kur çdo veprim kishte rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit.
Në fotografi, Kasumi shfaqet së bashku me dy fëmijët e tij, Besartin dhe Trierën, të cilët i quan “dy thesaret e jetës sime”.
“Këto fotografi janë dëshmi e një kohe të rëndë, e sakrificës dhe e forcës për të vazhduar përpara”, ka shkruar ai, duke theksuar vlerën emocionale dhe historike që mbartin këto kujtime.

