Përfundon turneu ballkanik i të amputuarve: Kosova në vend të dytë
Turneu Ballkanik i Futbollit të Amputuarve përfundoi sot me ndeshjen e fundit mes Kosovës dhe Shqipërisë, e cila përfundoi me fitoren e ekipit përfaqësues të Kosovës, me rezultatin 2:0.
Ky turne, i organizuar nën kujdesin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe në bashkëpunim me UEFA-n, ka promovuar një mesazh të rëndësishëm: futbolli është për të gjithë.
Ndeshja u zhvillua në “Shtëpinë e Futbollit” dhe, me këtë rast, Kosova e mbylli turneun me një fitore e një humbje. Golat për ekipin tonë i shënuan Burim Elshani në minutën e 12-të dhe Engjell Haxhikadrija në minutën e 25-të.
Turneu përfshiu gjithsej tri ndeshje, ku ekipi kampion u shpall Turqia, e cila triumfoi bindshëm ndaj Shqipërisë dhe Kosovës. Pas përfundimit të ndeshjeve, u organizua një ceremoni festive, ku anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu, ndau kupat për ekipet.
Ky aktivitet ishte pjesë e strategjisë së përgjegjësisë sociale, e cila promovon pjesëmarrjen në sport për të gjithë individët, pavarësisht sfidave që ata mund të kenë.