Haradinaj arrin në Amerikë, pritet të takohet me kongresmenë e zyrtarë të shtetit

Haradinaj arrin në Amerikë, pritet të takohet me kongresmenë e zyrtarë të shtetit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka udhëtuar drejt Amerikës. Kështu ka bërë të ditur për Klankosova.tv, zëdhënësi i kësaj partie, Kushtrim Xhemaili.

Xhemaili tha se Haradinaj gjatë qëndrimit në ShBA do të takohet kongresmenë dhe zyrtarë të tjerë amerikanë.

Kreu i AAK-së ka shkuar në Amerikë me ftesë të Universitetit të Chicagos – “Instituti Pearson”.

“Vizitën e tij Haradinaj e fillon sot në Chicago, ku do të qëndrojë me ftesë të Universitetit të Chicagos -“Instituti Pearson”, në konferencën e tyre globale, ku do të flasë për zhvillimet në Kosovë dhe rrugëtimin e Kosovës që nga liria e deri më sot. Po ashtu, Haradinaj në Chicago do të takojë një pjesë të komunitetit shqiptar. Vizitën e tij në ShBA ai do ta vazhdojë në New York ku do të pritet nga Federata Panshqiptare “Vatra” dhe do të takojë komunitetin shqiptaro-amerikan. Gjatë qëndrimit në New York, Haradinaj do të takojë kongresmenë dhe zyrtarë tjerë të shtetit. Vizitën zyrtare Haradinaj do ta përmbyll në Ëashington ku do të zhvillojë takime zyrtare në tri institucionet kryesore: Pentagon, Departmentin e Shtetit Amerikan dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë”, tha Xhemaili.