Sulmi fizik dhe ndërhyrjet politike në punët e FFM-së, temë urgjente në mes Sejdinit dhe kreut të UEFA-s

Sulmi fizik dhe ndërhyrjet politike në punët e FFM-së, temë urgjente në mes Sejdinit dhe kreut të UEFA-s

Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini, me ftesë të personit të parë të UEFA-s, Aleksandar Ceferin ka qenë sot në Shtëpinë Evropiane të Futbollit në Nyon të Zvicrës.

Sulmi fizik ndaj presidentit Sejdini si dhe pas marrjes së informacionëve nga UEFA për ndërhyrje politike në punë të Federatës, e cila kërcënon integritetin e saj, u bënë shkak që menjëherë pas ndeshjes me Armeninë kreu i FFM-së të thirrej në një mbledhje urgjente nga presidenti i UEFA-s, Aleksandar Ceferin.

Presidenti Sejdini e njoftoi drejtpërdrejt dhe në detaje presidentin e UEFA-s për situatën aktuale dhe UEFA shprehu mbështetjen e fuqishme për mbrojtjen e FFM-së dhe integritetit të saj.

Më herët (dje), UEFA dhe FIFA bashkërisht i kanë dërguar një letër me shkrim FFM-së duke kërkuar takim sa më të shpejtë me zyrtarët e qeverisë.

FFM-ja ia ka përcjellë menjëherë këtë letër qeverisë së Republikës së Maqedonisë në pritje të një termini për takimin e kërkuar.

UEFA dhe FIFA janë të palëkundur në synimin e tyre për të ruajtur integritetin e futbollit dhe të federatës.

Presidenti i UEFA-s, Aleksandar Çeferin shprehu urimet e tij të sinqerta për vendin e parë në grup të Ligës C të Kombeve, duke u dëshiruar suksese dhe arritje edhe më të mëdha në vijim.