Hamza takohet me Schleicher, flasin rreth rezultateve të Kosovës në arsim

Hamza takohet me Schleicher, flasin rreth rezultateve të Kosovës në arsim

Pas takimeve me zyrtarë qeveritarë në Paris, kandidati për kryeministër, Bedri Hamza agjendën e vazhdoi me një takim të rëndësishëm në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, me Drejtorin Global për Çështje Arsimore të kësaj organizate, Andreas Schleicher.

“Andreas është i njohur botërisht si eksperti që ka zhvilluar tërë sistemin botëror të testeve dhe instrumenteve arsimore PISA. Kosova, siç e dimë, ka shënuar rezultate të ulëta dhe me Andreas biseduam gjerësisht, duke i analizuar këto rezultate dhe reformat strategjike që mund t’i implementojmë shpejt në Kosovë”, ka shkruar Hamza në Facebook.

Tutje, Hamza shton se këshillat e OECD dhe të dhënat nga PISA, si dhe analizën e Andreas, i ka futur në programin e tij, ku thotë se arsimi do të jetë prioriteti i tij kryesor bashkë me ekonominë.

“Këshillat e OECD dhe të dhënat nga PISA, si dhe analizën e Andreas e kam përfshirë tashmë në programin tim dhe pa dyshim se arsimi do të jetë prioriteti im kryesor, së bashku me ekonominë. Nuk ka ekonomi të zhvilluar dhe kuadro të përgatitura pa reforma thelbësore në arsim”.

“Jam falënderues për takimin që patëm në zyrën kryesore të OECD dhe për ndihmën e paralajmëruar, por jam edhe i gëzuar për punën e madhe që po na pret për ta ndryshuar rrënjësisht sistemin tonë arsimor”.