Kurti: I gëzohemi fort Shqipërisë për hapjen e kapitujve të parë të anëtarësimit në BE
Me hapjen e kapitujve të parë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Shqipëria ka nisur një kapitull të ri e vendimtar në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përshëndetur këtë arritje historike.
“I gëzohemi fort kësaj arritjeje të Shqipërisë! Urime popullit dhe qeverisë shqiptare! U dëshiroj një rrugëtim pa pengesa, me progres të bazuar në meritokraci dhe përmbushje të reformave, prej të cilave përfitojnë qytetarët dhe vendi”, tha Kurti në reagimin e tij në rrjetet sociale.
Ai shtoi se Kosova dhe Shqipëria ndajnë të njëjtin synim për integrimin në Bashkimin Evropian, duke e parë jo vetëm si qëllim anëtarësimi, por edhe si një vlerë të përbashkët të shoqërive demokratike dhe mirëqenies së qytetarëve.
“Nga ky rrugëtim që Shqipëria po nis sot, pa dyshim që do të përfitojë edhe Kosova, duke mësuar nga përvojat që na afrojnë edhe më shumë drejt integrimit të përbashkët në Bashkimin Evropian”, përfundoi Kurti.