Detaje nga rasti me vendosjen e gurëve në hekurudhën Prishtinë-Pejë

Detaje nga rasti me vendosjen e gurëve në hekurudhën Prishtinë-Pejë

Paraditen e sotme u raportua se në linjën hekurudhore Prishtinë-Pejë, nga persona të panjohur ishin vendosur gurë.

Kjo, nga ndërmarrja “Trainkos” u cilësua si “akt sabotimi me elemente terroriste”.

Ndërkaq, burime të Klankosova.tv bëjnë me dije se rasti ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 20:45.

Burimet bëjnë me dije se gurët ishin vendosur saktësisht në lokacionin Murg, në afërsi të fshatin Cerravik.

Ndërkaq, mësohet po ashtu se me të marrë informatën, “Trainkos” e ka informuar stacionin policor të Klinës.

Këta të fundit me rastin janë marrë mëngjesin e sotëm – me dronë e me këmbësori. Pas identifikimit të lokacionit nga policët e Klinës, është kuptuar se lokacioni i përket zonës së Mitrovicës.

“Fillimisht ishte lajmëruar stacioni i policisë në Klinë, por në pamundësi të daljes mbrëmë në terren në orët e vona, kanë dalë sot, ku kërkimi i lokacionit ishte bërë me dronë, por nuk është identifikuar lokacioni. Atëherë njësitet policore në këmbë kanë arritur ta gjejnë lokacionin në fjalë, ku me të arritur policët e Klinës kuptuan se kjo zonë i takon zonës së Mitrovicës, gjegjësisht stacionit në Skenderaj”, kanë thënë burimet e Klankosova.tv.

Me të kuptuar këtë informacion, kolegët e Klinës i informojnë ata të Mitrovicës të cilët edhe kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

Lidhur me rastin kanë nisur hetimet ku do të përpilohet një raport nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë dhe Mitrovicë.

“Trainkos” ndërkaq bëri me dije gjatë ditës se në bordin e trenit që udhëtonte në segmentin Prishtinë-Pejë, kishte 100 udhëtarë.

U tha po ashtu se madhësia e disa prej gurëve ishin 10 centimetra, ndërsa u theksua se ky ishte tentim që “të shkaktohet frikë dëme apo pengesa të rënda për përdoruesit e transportit hekurudhor”.