Izraeli kryen sulme ajrore në lindje të Libanit

Izraeli kryen sulme ajrore në lindje të Libanit

Ushtria izraelite ka kryer sulme ajrore në lindje të Libanit më 15 tetor, raportoi media shtetërore libaneze, në kohën kur po vazhdojnë luftimet mes ushtrisë izraelite dhe militantëve të Hezbollahut.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se nuk do të ketë mëshirë për grupin militant libanez, raporton Radio Evropa e Lirë.

Netanyahu i bëri këto komente të hënën, një ditë pas sulmit me dronë të kryer nga Hezbollahu, që la të vrarë katër ushtarë dhe la të plagosur 60 persona të tjerë.

Hezbollahu është grup militant dhe parti politike, që kontrollon shumicën e Libanit jugor.

Ai është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike, që ka ulëse në Parlamentin libanez.

“Ne do të vazhdojmë të sulmojmë Hezbollahun pa mëshirë në të gjitha pjesët e Libanit, përfshirë në Bejrut”, tha Netanyahu gjatë vizitës në bazën ushtarake afër Binjaminës, në jug të Haifës.